Detaje ekskluzive nga dosja e Prokurorisë, dy serbët tentuan ta shisnin pronën milionëshe në Veternik me dokumente të falsifikuara

Dy pjesëtarë të komunitetit serb kishin përfunduar në pranga pas një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, pas dyshimeve se ata me dokumente të falsifikuara, kishin tentuar të shisnin një pronë në Veternik që llogaritet se kap vlerën e dy milionë eurove.

Dosja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje se si dy serbë kanë falsifikuar disa dokumente për ta përvetësuar pronën në vlerë dy milionë euro në Veternik të Prishtinës.

Sipas dosjes të cilën e ka siguruar Paparaci, Mihajlo Milovanoviq dhe Zhelko Jagodiq, ndaj të cilëve u shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditësh në muajin shkurt, kishin falsifikuar disa dokumente për të përvetësuar pronën prej 5 mijë e 976 metrave katrorë.

Krejt kjo dyshohet se kishte nisur në vitin 2024 dhe po vazhdonte deri më 17 nëntor të vitit 2025.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Mihajlo Milovanoviq dhe Zhelko Jagodiq, gjatë vitit 2024, deri më 17 nëntor 2025, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, të pandehurit kanë falsifikuar dokumente lidhur me parcelën në sipërfaqe prej 5 mijë e 976 metra katrorë, dhe kanë tentuar që me këto dokumente të bëjnë bartjen e pronësisë të kësaj toke në zyrën e kadastrit në Komunën e Prishtinës, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm të dëmtuarit Sami Qyqalla, me këtë, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale mashtrimi i mbetur në tentativë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Dy të dyshuarit kishin përdorur certifikatën e falsifikuar të vdekjes së Rexhep Pejuzit.

“Për të pandehurit, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2024 e deri më 17 nëntor 2025, në vendin e pa përcaktuar, kanë përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të këtij dokumenti si origjinal dhe me dijeni kanë përdorur dokumentet e falsifikuara – të ndryshuara si origjinal si: certifikata e vdekjes për Rexhep Pejuzin sipas të cilës i pandehuri Mihajlo Milovanoçiq kinse ishe i biri i Zejul dhe Dzhana Pejuz, i lindur më 14.12.1992, në Karovici, Bosnjë dhe Hercegovinë, i cili kishte vdekur më 01.10.1986 në Kraljevë, dokumentin i përpiluar në gjuhën serbe “Resenje o nasledivanju”, i nxjerrë me datë 17.07.1994 në Gjykatën Komunale në Obrenovac të Serbisë, sipas të cilit vendim ai është shpallur trashëgimtar i vetëm dhe përfitues i pronave të Rexhepit dhe Ruzha Pejuzi, ashtu që me këto dokumente të falsifikuara në bashkëkryerje të pandehurit Mihajlo Milvanoviq dhe Zhelko Jagodiq dhe persona të tjerë me dokumente të falsifikuara ashtu që kanë paraqitur kërkesën të regjistrojnë pronësinë në Zyrën e Kadastrit në Komunën e Prishtinës, më konkretisht parcelën me numër P71914059-01662-0 në sipërfaqe prej 5 mijë e 976 metra katror, dhe në këtë mënyrë i kanë shkaktuar tani të dëmtuarit Sami Qyqalla. Me këtë, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve””, thuhet më tej në dosje.

Me dokumentet e falsifikuara në dorë, të dyshuarit kishin bërë përpjekje të mashtrojnë edhe Komunën e Prishtinës.

“Të pandehurit në bashkëkryerje me persona të tjerë kanë përpiluar dokument të falsifikuar, me qëllim të shfrytëzimit të këtij dokumenti si origjinal dhe me këto dokumente, duke dashur të vënë në lajthim organin kompetent, Zyrën e Kadastrit në Komunën e Prishtinës, duke kërkuar vërtetimin e një çështje të pavërtetë dhe i kanë përdorur dokumentet, ani pse e kanë ditur se janë të rreme. Me këtë rast kanë kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme””, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Jagodiq dhe Milovanoviq dyshohet se kanë falsifikuar edhe dokumente nga Serbia, duke shfaqur ato si të lëshuara nga institucionet.

“Ekziston dyshimi i bazuar se Zhelko Jagodiq dhe Mihajlo Milovanoviq dhe të pandehur të tjerë për momentin të pa identifikuar, kanë arritur të krijojnë dokumente të falsifikuara kinse të lëshuara nga institucionet serbe, kanë arritur të nxjerrin akttrashëgiminë pranë noteres dhe më pas kanë tentuar t’i legalizojnë ato si të vërteta pranë zyrës kadastrale në Komunën e Prishtinës, duke e paraqitur veten si pasardhës të Rexhep Pejuzi nga Prishtina, me qëllim të fitimit të trashëgimisë në favor të tij të pronës në Veternik, tokë për ndërtim të lartë, me qëllim të përfitimit material për vete dhe të tjerët, ashtu që i pandehuri me rastin e paraqitjes së rastit dhe dhënies së deklaratës në stacionin policor Jugu në Prishtinë më 3 nëntor 2025, ka deklaruar rrejshëm kinse kjo është pronë e tij e trashëguar nga paraardhësit”, thuhet në dosje.

Pronën në Veternik ata tentuan ta shisnin.

Gjatë aksionit për arrestimin e tyre në shkurtin e vitit 2026, janë sekuestruar veturë, para, dokumente dhe telefona celularë.

30 ditë paraburgim për dy serbët e dyshuar për rastin e parcelës 2 milionëshe

“Në kuadër të veprimeve hetimore të ndërmarra në këtë çështje, nga personat e dyshuar janë sekuestruar këto prova materiale: një (1) veturë në vlerë prej 50,000 deri në 60,000 euro; para në shumën prej 20,000.00 (njëzet mijë) euro; dokumente të ndryshme pronësore, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara; si dhe katër (4) telefona celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në procedurën e mëtejshme hetimore”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.