Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Bojan Jevtiq për veprat penale Spiunazhi dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Jevtiq në cilësinë e zyrtarit policor me gradën toger, nga një periudhë kohore e pacaktuar deri më 17 korrik 2025, dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme dhe me dashje ka mbledhur dhe u ka dërguar zyrtarëve të Shërbimit Inteligjent të Serbisë, dokumente zyrtare të klasifikuara që ndërlidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, veprimet e pretenduara të të pandehurit kanë cenuar rëndë sigurinë kombëtare, rendin kushtetues dhe funksionimin institucional të Republikës së Kosovës.
PSRK, i ka propozuar Gjykatës, ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike në kohëzgjatje prej 5 vitesh, vazhdimin e masës së paraburgimit, konfiskimin dhe asgjësimin e një arme, para të gashtme në shumën prej 2,000,000.00 dinar Serb, 500 franga zvicerane si dhe 7003 euro, si pasuri e fituar me kryerjen e veprës penale.
Jevtiq, ish-shefi i Operativës në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” ishte arrestuar në një aksion mes Prokurorisë Speciale, Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, në korrik të vitit të kaluar.









