Prokuroria Speciale e Kosovës ka zhvilluar një operacion policor në Prishtinë, Lipjan dhe Vushtrri, gjatë të cilit janë arrestuar shtatë persona.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se operacioni është bërë kundër shpronësimeve të jashtëligjshme dhe ryshfetit.
“V.G dhe N.R për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, H.M., Sh.S dhe H.M., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. N.K për veprën penale “Marrja e ryshfetit, dhe A.P, për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale – Dhënia e ryshfetit dhe Marrja e ryshfetit””, thuhet në njoftim.
“Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, janë sekuestruar pajisje teknologjike, para të gatshme në vlerë prej 6,450 eurosh, dhe dokumentacion i ndryshëm”, thuhet më tej.
Lidhur me të njëjtin rast, në dhjetor të vitit të kaluar janë arrestuar edhe shtatë (7) persona të tjerë.









