Policia e Kosovës ka njoftuar për sekuestrimin e një sasie të madhe të mallrave të kontrabanduara në qytetin e Ferizajt, pas një operacioni të zhvilluar nga Njësia e Task Forcës – DRK Jug.
Sipas njoftimit zyrtar, më 5 maj 2026, policia ka pranuar informacione për ekzistimin e një depoje të dyshuar ku ruheshin mallra të kontrabanduara.
Pas ndërmarrjes së veprimeve operative dhe hetimore, është arritur të identifikohet një person i dyshuar, mashkull kosovar, i cili dyshohet se e kishte shfrytëzuar këtë depo për ruajtjen e mallrave të futura ilegalisht nga Maqedonia e Veriut në Kosovë.
Me urdhër të prokurorit kompetent, policia ka kryer kontroll në lokacionin e dyshuar, ku janë sekuestruar: 800.4 kilogramë duhan i përpunuar, 94 kilogramë mjaltë, 30.4 kilogramë ambalazh plastik, 178 kilogramë ambalazh letre, një makinë për përpunimin e duhanit, një makinë për përpunimin e ambalazhit si dhe një spërkatëse uji për përpunimin e duhanit.
Vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara vlerësohet të jetë rreth 16,500 euro, ndërsa shmangiet e akcizës dhe detyrimeve doganore arrijnë në rreth 34,000 euro.
Pas përfundimit të veprimeve policore, mallrat e sekuestruara janë dorëzuar në Doganën e Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore. Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.








