“Në burg, Jezu Krishti më bëri të lirë”; Dani Alves rikthehet në stadium dhe flet si predikues ungjillor

Dani Alves u rikthye protagonist në një stadium futbolli, “Wanda Metropolitano” të Madridit, por këtë herë pa lidhje me futbollin. Ish-mbrojtësi brazilian i Barcelonës ishte një nga figurat kryesore të “The Change Madrid 2026”, një event ungjillor ku foli para 35.000 personave, në kuadër të jetës së tij të re si predikues në kishën Elim Church Girona.

“Isha 14 muaj në burg, por pikërisht aty Krishti më bëri të lirë”, – deklaroi ish-lojtari i Juventusit dhe PSG-së. Braziliani tregoi se si besimi u bë qendra e jetës së tij pas një prej momenteve më të vështira: “Kisha humbur gjithçka, por pikërisht duke humbur gjithçka gjeta Jezusin”.

Pas paraburgimit dhe shpalljes i pafajshëm në mars 2025, Alves kishte dhënë sinjale në rrjetet sociale për afrimin me fenë (“Dishepull i Jezu Krishtit”). Ai shpjegoi se gjithçka nisi nga takimi me “një lajmëtar”, që erdhi “në momentin më të errët, në mes të stuhisë”.

“Nuk e di çfarë po ndodh në jetët tuaja apo cilat janë ‘kanceret’ që po përballoni, por jam këtu për t’ju thënë se sot Krishti do t’i thyejë këto burgje. Do të rrëzojë muret dhe zinxhirët. Krishti do t’i thyejë këto zinxhirë”.

The post “Në burg, Jezu Krishti më bëri të lirë”; Dani Alves rikthehet në stadium dhe flet si predikues ungjillor appeared first on Telesport.