Zbulohen dosjet: Putini po fshihet nëpër bunkerë, u frikësohet atentateve

Lideri i Rusisë me javë ka qëndruar nëpër bunkerë dhe ua ka instaluar sistemet e mbikëqyrjes punëtorëve nëpër shtëpitë e tyre, zbulojnë dosjet e reja nga kryeqyteti rus.

Vladimir Putini ua ka ndaluar punëtorëve të tij që të përdorin telefonat dhe ka urdhëruar që sistemet e mbikëqyrjes të instalohen nëpër shtëpitë e tyre në kohën kur është ngritur paranoja për sigurinë e tij.

Masat e paprecedentë të sigurisë janë marrë në muajt e fundit për shkak të frikës së madhe të tij për grusht shtet ose atentat, thuhet në dosjen e inteligjencës evropiane, shkruan gazeta britanike “The Telegraph”.

Çdo vizitorë në Kremlin duhet të kalojë dy herë sigurinë me ekrane teksa stafi që punon përreth Putinit e ka të ndaluar të përdor telefonat apo çfarëdo pajisje që ka qasje në internet.

Ata gjithashtu duhet të udhëtojnë me transportin e organizuar nga shërbimi federal i mbrojtjes, që është përgjegjës për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë. Sistemi i mbikëqyrjes me kamera është instaluar te kuzhinierët, truprojat dhe fotografët.

Publikimi i dosjeve është bërë në kohën kur është raportuar se Ukraina ka sulmuar në zemër të kryeqytetit rus.

Të dielën Ukraina pati cak kompleksin elitar rreth 7 kilometra larg Kremlinit dhe më pak se katër kilometra larg Ministrisë së Mbrojtjes ruse.