Kosova ndjek SHBA-në në Gazë

Përfshirja e Kosovës në një mision ndërkombëtar stabilizues në Gazë është një hap të rëndësishëm në politikën e saj të jashtme dhe në afirmimin ndërkombëtar. Ky është rasti i parë që Kosova merr pjesë në një mision të mandatuar nga Kombet e Bashkuara, duke e vendosur veten në një skenë globale, por edhe përballë rreziqeve të një zone të paqëndrueshme dhe të përfshirë në konflikt të vazhdueshëm.

Misioni zhvillohet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), e cila buron nga një plan i presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Gazës. Kjo forcë shumëkombëshe synon të trajnojë policinë lokale, të ndihmojë në sigurimin e kufijve, të ruajë rendin dhe të mbështesë çmilitarizimin e territorit, veçanërisht nga Hamasi, që kontrollon Gazën që nga viti 2006 dhe ka rol kyç në konfliktin aktual.

Kosova, përmes Forcës së Sigurisë së saj, ka nisur tashmë angazhimin konkret me dërgimin e një ekipi vlerësues në terren, ndërsa pritet që kontingjenti i parë prej 22 ushtarësh të dislokohet së shpejti. Ky angazhim është bërë në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe shihet nga autoritetet kosovare si dëshmi e besimit ndërkombëtar ndaj kapaciteteve të vendit.

Megjithatë, misioni mbart sfida dhe pasiguri të mëdha. Ekspertët theksojnë se situata në Gazë është shumë komplekse, me rrezikun që forcat ndërkombëtare të përfshihen në luftime ose të perceptohen si të njëanshme. Po ashtu, mbetet e paqartë se sa efektiv mund të jetë misioni në çarmatosjen e Hamasit dhe në arritjen e një stabiliteti afatgjatë.

Nga ana tjetër, për Kosovën ky angazhim ka edhe dimension politik dhe strategjik. Ai shihet si një mënyrë për të forcuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe për të dëshmuar gatishmërinë e saj për të kontribuar në sigurinë globale. Në këtë kuptim, pjesëmarrja në mision konsiderohet si një investim në të ardhmen ndërkombëtare të vendit, përfshirë aspiratat për integrim në struktura si BE dhe NATO.

Ky mision si një mundësi të madhe për Kosovën për të rritur profilin e saj ndërkombëtar, por njëkohësisht si një sfidë të ndërlikuar, po zhvillohet në një kontekst të rrezikshëm dhe me shumë paqartësi për rezultatin përfundimtar./rel