Dëmtohen kabllot e internetit në Paparaci për herë të tretë brenda një muaji

Gazetari Vehbi Kajtazi ka bërë të ditur se për herë të tretë brenda një muaji janë dëmtuar kabllot e internetit në redaksinë e mediumit Paparaci.

Rasti është raportuar në Polici, mirëpo nuk ka pasur zhvillime konkrete në hetim. Autoritetet kanë deklaruar se mungesa e kamerave të sigurisë e bën të pamundur procedimin e mëtejmë të rastit.

“E kemi thirr Policinë për të hapur rast. Kanë thënë se, meqë nuk ka kamera, nuk mund ta procedojnë më tutje,” ka shkruar Kajtazi.

Lidhur me këtë incident ka reaguar edhe kompania Art Motion, e cila po ashtu ka hapur rast për dëmtimin e infrastrukturës së saj. Megjithatë, edhe nga kjo kompani është bërë e ditur se kanë marrë të njëjtën përgjigje nga autoritetet.

Ky është rasti i tretë brenda një periudhe të shkurtër kohore që ndërpritet lidhja e internetit në mediumin “Paparaci”.