Komuna e Prishtinës ka njoftuar se me vendim të kryetarit Përparim Rama, nga sot ndryshon forma e qarkullimit të mjeteve në rrugën “Ilaz Kodra” në lagjen Dardania.
Nga dy kahëshe, rruga është rikthyer sërish në një kahëshe, ka njoftuar Komuna.
Njoftimi i Komunës së Prishtinës:
Njoftohen të gjithë qytetarët se nga sot, më datë 04.05.2026, bazuar në vendimin e Kryetarit të Kryeqytetit të Prishtinës, është bërë ndryshimi i qarkullimit të mjeteve motorike në rrugën “Ilaz Kodra”, në lagjen Dardania, duke e kthyer këtë rrugë në gjendjen e mëparshme të qarkullimit pas përfundimit të punimeve dhe riparimeve infrastrukturore në këtë zonë.
Rruga “Ilaz Kodra” do të jetë me një kah të qarkullimit, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën “Sali Çeku”, në drejtim të rrugëve “28 Nëntori” dhe “Ise Boletini”.
Rrugët “28 Nëntori” dhe “Ise Boletini” vazhdojnë të jenë me dy kahje të qarkullimit.
Këto ndryshime janë bërë me qëllim të përmirësimit të rrjedhës së trafikut dhe rritjes së sigurisë në këtë zonë, si dhe pas përfundimit të punimeve infrastrukturore.
Lusim të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë sinjalistikën e re rrugore dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.









