Gazetari e analisti Vehbi Kajtazi e ka cilësuar si “nata më e rëndë”, natën kur kryeministri Kurti tentoi ta zgjidhte presidentin e Republikës së Kosovës pa kuorum.
I ftuar në VV Show, Kajtazi ka treguar edhe shkaqet që e ndalën Kurtin për rrënimin e rendit kushtetues.
Sipas tij, mesazhi i deputetit të VV-së, Naim Bardiqi, si dhe thirrjet nga opozita – veçanërisht Daut e Ramush Haradinaj për protesta, ishin dy nga shkaqet kryesore që e ndalën Kurtin të hënën e 27 prillit.
“Ish-sekretar i ministrisë së shëndetësisë, Naim Bardiqi tha diçka të vërtetë e cila mendoj se është çelësi kryesor pse zoti Albin Kurti u ndal h për h në rrënimin e rendit kushtetues. Ai tha po i hyjmë karate, masanej Gjykata Kushtetuese le të bëjë çka të dojë. Kurti donte lëndë për Gjykatën Kushtetuese pastaj me i çu zgjedhjet kur i konvenojnë atij, e me vazhdu kështu. Por, kjo e bëri Kurtin të ekspozuar tejë mase edhe tek njerëzit normal që e përkrahin Vetëvendosjen sepse kjo ishte e tepruar, nuk bohet karate kjo punë. Zgjedhje e presidentit do të duhej të ishte festë, do të duhej të ishte ceremoni. Por prej kur ka ardhë Vetëvendosje nuk ka qenë ceremoni, ka qenë e tillë me pengesa me gazë lotsjellës bojkote e lloje të ndryshme”.
“Dhe e dyta ajo çka e ndali Kurtin është frika e tij, ky si një frikacak nga protestat. Deklaratat e Ramush e Daut Haradinajt se do të jenë në rrugë për ta mbrojtur Republikën e Kosovës mendoj që këta i ka frikësuar dhe janë tërhequr nga ky grusht shtet institucional, nga ky puq i brendshëm që do të mund t’i shkaktohej Republikës së Kosovës. Në këtë rast secili ka qenë i obliguar ta mbrojë Republikën e Kosovës nga Albin Kurti. Nuk ka gjë ma të rëndë se me mbrojt Republikën nga kryeministri i shtetit. Pra ky shtet është i rrezikuar prej tij. Prandaj ajo natë është e rëndësishme. Bardiqi që ekspozoi planet djallëzore dhe rezistenca e opozitës dhe krejt shoqërisë”, deklaroi Kajtazi në VV Show.
Tutje ai ka shtuar se nata e 27 prillit është nata më e rëndë e Republikës së Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008.








