Ymeri fajëson Kurtin për zgjedhjet e jashtëzakonshme: Populli duhet ta dijë, Vjosa nuk është presidente për shkak të Albinit

Ymeri: Vjosa nuk është presidente për shkak të Albinit, populli duhet ta dijë se po shkojmë në zgjedhje për shkak të Kurtit

Analisti politik, Visar Ymeri, e ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti, për dështimin e zgjedhjes së presidentetit të Republikës së Kosovës.

I ftuar në VV Show, Ymeri ka thënë se Kurti nuk ka qenë i interesuar për ta votuar Vjosa Osmanin edhe për një mandat tjetër si shefe e shtetit.

Disa prej nesh që kemi folur në publik e kemi ditur që në fillim, prej përfundimit të zgjedhjeve, sepse ajo intervista e parë e Albin Kurtit pas përfundimit të zgjedhjeve tregon që ai ka qenë i painteresuar për të vazhduar me Vjosën. Por, ky ka dashur që në fillim që ta luajë lojën kinse ky po do [të kandidojë Vjosën, v.j] këta të tjerët s’po donë. Mendoj që këtu Vjosa Osmani bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës e kanë luajtuar lojën mirë sepse në fund u paraqitën se Vjosa mundet me i pas votat po spo don Albini”, ka thënë Ymeri.

Drejtori ekzekutiv i institutit “Musine Kokollari”, shtoi se populli duhet ta dijë se ndodhemi në një palë tjetër zgjedhje të jashtëzakonshme për faj të kryeministrit Kurti.

“Kjo besoj duhet me qenë një prej rrëfimeve dhe të vërtetave që duhet qytetarët e Kosovës me e ditë. Tash a mendojnë ata se u dasht ose jo Vjosa me qenë presidente është e tyre, por duhet me ditë se Vjosa Osmani sot nuk është presidente, për shkak se Albin Kurti nuk ka dashtë me e bo presidente. Dhe po shkojmë në zgjedhje për shkak të refuzimit të Albin Kurtit”, deklaroi Ymeri në VV Show.

Tutje ai i ka përgëzuar partitë opozitare për opozitarizmin e treguar në çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se i kanë bërë një shërbim të madh Kosovës që nuk e kanë lejuar Kurtin që t’i ketë të gjitha pushtetet.