Tentoi të vidhte motomjetin, arrestohet 20-vjeçari në Vlorë

Në Vlorë është arrestuar në flagrancë një 20-vjeçar, i dyshuar për vjedhjen e një motomjeti në lagjen “28 Nëntori”.

Sipas policisë, falë reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar në lagjen “Uji i Ftohtë”. Gjatë ndërhyrjes, u sekuestrua edhe motomjeti i vjedhur, i cili u gjet në cilësinë e provës materiale, shkruan vizionplus.tv, raporton KlanKosova.tv.

Gjithashtu, gjatë kontrollit personal ndaj të riut, policia ka gjetur dhe sekuestruar një përforcues metalik grushti.

Në përfundim të veprimeve procedurale, është arrestuar shtetasi V. M., 20 vjeç, banues në Vlorë. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.