Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesori Enver Hasani, tha se përpjekja e mbrëmshme e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Presidentit pa numrat e nevojshëm, ishte tentim për puç kushtetues.
“Ajo e mbrëmshit ishte qartë tentim për puç kushtetues, për përmbysjen e rendit kushtetues”.
Ai tha se presioni që bëri kryeparlamentarja Albulena Haxhiu me thirrjet e saj se deputetët e kanë detyrim të shkojnë në sallë për zgjedhjen e Presidentit, duke cituar pjesë aktgjykimesh ishte ushtrim i një funksioni policor.
“Ato elaborime në arsyetim të Gjykatës që ajo i thotë, ato nuk kanë pasë asnjëherë dhe nuk mund të kenë për qëllim abuzim dhe terrorizimin e deputetëve: me iu thënë çdo pesë minuta. Këto quhen funksione policore, të cilat s’mund t’i ushtrojë kryetarja e Kuvendit e aq më tepër që ka edhe funksionin e shefit e shtetit. Kjo është tërësisht e papranueshme”, tha Hasani mbrëmë në ATV.
Ai shtoi se një aktgjykim i Kushtetueses herën e fundit e ka bërë të qartë që s’mund të detyrohen deputetët që të rrinë në sallë apo të votojnë në drejtim të caktuar.
“Presidenti është organi legjitimues, ai pushtet s’është. Ai s’është pushtet, por i ka çelësat e të gjitha pushteteve, prandaj ai është balancuesi kryesor”, tha ai.









