Kur nuk po ecnin shpejtë minutat e fundit për zgjedhjen e presidentit dhe me vetëm shumicën në Kuvend që ishte një hap para se ta cenonte rëndë rendin kushtetues me përpjekjet për ta zgjedhur presidentin me 63 deputetë e jo 80 sa nevojiteshin në sallë, Albin Kurti doli në foltore për ta hapur fushatën për zgjedhjet e reja.
Në këto gjashtë vjet të pushtetit të tij, Kurti vazhdimisht ka përmendur se si është kryeministri më jetëgjatë, por kur akrepat shënuan 00:00 u bë kryeministri më jetëshkurtër kur kishte 51 për qind të përkrahjes.
Në atë skenë ndodhi diçka jo fort e zakontë, një kryeministër po i duartrokiste dështimit të vet e për këtë dështim në këmbë u quan për ta duartrokitur dështimin e tij.
Në vazhdimin e fundit të seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, e cila u ftua nga mazhoranca dhe u bojkotua nga opozita, kryeministri, njëkohësisht kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, shpalli “hapjen” e fushatës së re zgjedhore.
Nga salla e seancave të parlamentit, shefi i qeverisë për dështimin e vet, sulmoi pa mëshirë partitë opozitare, të cilat i fajësoi për dërgimin e vendit në zgjedhje. I akuzoi për tentim-zhbërje të vullnetit të popullit.
Ishte vetë Kurti që kishte nisur rrugën pa krye për zgjedhjen e presidentit. Partive të tjera u kërkonte vetëm t’ia bënin kuorumin. Edhe kandidaten vetë e kishte caktuar.
Ndërkaq, për rrugën e tij pa krye kishte nisur ta sulmonte opozitën qysh në javët e shkuara. Me 51 për qind e me 66 deputetë, Kurti po viktimizohej e po fajësonte opozitën për dështimet e tij.
Kurti akuzoi me emër PDK-në dhe LDK-në për refuzim të “ofertave gjeneroze” për bashkëpunim, ndërsa pa ia përmendur emrin ai e sulmoi fshehtësisht edhe Vjosa Osmanin, ish-presidenten dhe ish-kryetaren e listës Guxo.
Refuzimin e përfaqësuesve të partive opozitare për takim me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës më 6 mars, Kurti e ndërlidhi me dekretin e shpallur nga ish-presidentja Osmani, të cilin e cilësoi të paligjshëm, anti-kushtetues.
“Ndërkohë që refuzonin edhe takimet, paçka se neve na kishin thënë që kur të vije aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese do të mund të takohemi, pasiqë pritej aktgjykimi lidhur me dekretin presidencial i cili ishte një orvatje për ta shpërndarë në mënyrë jokushtetuese Kuvendin e Republikës, përkatësisht legjislaturën e dhjetë”, tha Kurti.
Ish-presidentja Osmani kishte shprehur ambicie për një mandat të dytë, por kandidatura e saj nuk mori përkrahje nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo përflitet se do të garojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare me një listë të veçantë e cila është raportuar se do të garojë nën siglën e Lidhjes Demorkatike të Kosovës.







