“Karate” Republika e Kurtit

Një mesazh i një deputeti tek i tregonte dikujt se po e zgjidhnin presidentin me procedura “karate”, siç tha ai, ka simbolizuar shkeljet kushtetuese që i ka bërë Vetëvendosje për të mbajtur pushtetin në dy vjetët e fundit. Fillimisht me bllokadën në Kuvend për emrin e kryetares, e tek tani me emrin e presidentit.

Mbrëmja e 27 prillit ka përthekuar më së miri qeverisjen gjashtëvjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje të prirë nga Albin Kurti: duke shkelur Kushtetutën e duke e interpretuar atë sipas tekeve.

Shkrimtari i njohur amerikan O. Henry në fillim të shekullit XX kishte përdorur termin “Banana Republikë” për të përshkruar shtetet e Amerikës Qendrore që ishin formalisht sovrane, por me institucione të dobëta e me ekonomi të varur dhe me ndikim të madh nga kompanitë e huaja.

Kjo formë e qeverisjes e zbuluar nga Henry ishte e dukshme në Kosovën e gjashtë viteve të fundit të drejtuar nga Vetëvendosje. Termi “Banana Republikë” ishte i dukshëm në mbrëmjen e së hënës, por me një fjalë tjetër që simbolizonte shkeljet kushtetuese: “karate”. Po bëhej përpjekje që të zgjidhej një emër për presidente teksa deputetët “po i binin trup” procedurave.

Me ftesë të jashtëzakonshme deputetët e pushtetit ia mësyn Kuvendit për të zgjedhur presidentin e Kosovës, ani pse pa kuorum. Me 66 deputetë të vet, pushteti i Vetëvendosjes nisi procedurën për zgjedhjen e presidentit me dy kandidatura që i propozoi vetë, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.

Në mungesë kuorumi prej 80 deputetëve, procesi i votimit nisi me 64 deputetë, në një prej shkeljeve më të rënda të Kushtetutës që kur u ngjit në pushtet në vitin 2021.

Në raundin e parë, Rushiti mori 63 vota, ndërkaq një votë ishte e pavlefshme. Kandidatja tjetër, Hatixhe Hoxha nuk arriti të marrë vota.

Pas përfundimit të votimit në raundin e parë, seanca është ndërprerë dhe është paralajmëruar se do të vazhdojë të martën (sot) në orën 10.

Se po bënin përpjekje ta zgjedhnin presidentin në formë jokushtetuese, e dinin edhe deputetët e Vetëvendosjes. Deputeti Naim Bardiqi u kap nga mediat duke komunikuar me dikë teksa i tregonte se po bënin përpjekje që presidenten ta zgjidhnin me procedurë “karate” e më vonë do t’ia linin Gjykatës Kushtetuese të vendosë.

“Rundi nuk ekziston”

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar dhe ka treguar se si shkon procedura e rundeve për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Pasi të hënën dështoi seanca e jashtëzakonshme për president, pasi opozita nuk mori pjesë dhe të njëjtën e quajtën antikushtetuese, Hasani tha se e njëjta nuk numërohet dhe nuk mund të vazhdohet me rundin e dytë sot.

“Në momentin që e ka parë që në kuti nuk janë 2/3, ky rund nuk ekziston, domethënë nuk mund të shkohet në rund të dytë. Duhet të nisë nga fillimi, seanca e [mbrëmshme] nuk mund të kalojë në rund të dytë”, tha ai në Klan Kosova.

Ai shtoi se gabimi më i madh i opozitës në këtë zhvillim do të ishte dërgimi i seancës për presidentin në Gjykatën Kushtetuese.

“Gabimin më të madh e bën opozita në qoftë se e çon këtë çështje në Kushtetuese. Është abuzim klasik në mënyrën më primitive të mundshme”, deklaroi Hasani.

IKD: Procesi për zgjedhjen e Presidentit po cenon rendin kushtetues

Situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen për zgjedhjen e Presidentit përbën një cenim serioz të rendit kushtetues dhe të rregullave parlamentare. Kështu ka vlerësuar Instituti i Kosovës për Drejtësi për seancën e mbrëmshme rreth zgjedhjes së presidentit.

“Një proces që duhet të reflektojë standardet më të larta të ligjshmërisë dhe përgjegjësisë institucionale është karakterizuar nga një improvizim procedural dhe interpretim i gabuar i normave juridike, duke ngritur shqetësime të drejtpërdrejta për funksionimin e demokracisë.

Së pari, mungesa e kuorumit për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme e bën të pavlefshëm vetë zhvillimin e procedurës. Kushtetuta kërkon praninë e së paku 80 deputetëve për nisjen e seancës dhe zhvillimin e dy raundeve të para të votimit, ndërkohë që në sallë kanë qenë vetëm 64 deputetë. Në këto rrethana, çdo veprim i mëtejshëm procedural përbën një precedent të rrezikshëm që cenon rëndë parimin e shtetit të së drejtës dhe krijon hapësirë për anashkalimin sistematik të rregullave kushtetuese”.

IKD gjithashtu thekson se  mënyra e thirrjes së mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, vetëm dy minuta para mbajtjes së saj, përbën shkelje të rëndë të standardeve minimale të transparencës dhe pjesëmarrjes.

Sipas këtij Instituti edhe çështja e nominimit dhe e nënshkrimeve të deputetëve është trajtuar në kundërshtim me kuadrin kushtetues dhe praktikën gjyqësore.

“Kushtetuta kërkon së paku dy kandidatë për President, kusht që është përmbushur fillimisht më 5 mars 2026 me kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut. Megjithatë, tërheqja e tyre nga gara nuk e rikthen procesin në pikën zero në aspektin juridik të nënshkrimeve, pasi këto të fundit konsiderohen të konsumuara në momentin e dorëzimit. Secili kandidat kishte siguruar mbi minimumin prej 30 nënshkrimeve, të cilat, për shkak të natyrës së tyre juridike, janë të lidhura ekskluzivisht me kandidatin përkatës dhe nuk mund të transferohen apo ripërdoren për kandidatë të tjerë”.

“Ky interpretim, krahasimisht, mbështetet edhe nga praktika e Gjykatës Kushtetuese në rastin KI 47/10, ku është theksuar se nënshkrimet e deputetëve, pasi dorëzohen si pjesë e një kërkese, nuk mund të tërhiqen në mënyrë arbitrare dhe konsiderohen të konsumuara. Po ashtu, Rregullorja e Kuvendit e lejon tërheqjen e nënshkrimeve vetëm deri në momentin e dorëzimit në Zyrën për Propozime dhe Parashtresa, çka në këtë rast nuk ka ndodhur”.

Mes tjerash, IKD konsideron se të gjitha veprimet e ndërmarra që nga mungesa e kuorumit, shkeljet procedurale në funksionimin e komisioneve dhe keqinterpretimi i rregullave e bëjnë të gjithë procesin juridikisht të pavlefshëm.

“Lejimi i një praktike të tillë përbën rrezik serioz për demokracinë, pasi vendos një standard ku rregullat kushtetuese anashkalohen krijohen rrugë për kriza të përsëritura institucionale”.

Për të gjitha këto arsye, IKD i bënë thirrje Kryetares së Kuvendit që të respektoj Kushtetutën dhe aktgjykimet e Kushtetueses, ashtu që të mos procedojë me asnjë veprim në seancë, nëse në sallë nuk janë të pranishëm 80 deputetë.