Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Delphit në Greqi, në një bisedë me kryeredaktorin e “Kathimerini”, foli për çështjen e drejtësisë ndërkombëtare dhe proceset e lidhura me ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Rama u shpreh se ai e ka ngritur këtë çështje edhe te presidentit amerikan Donald Trump, duke kërkuar vëmendje ndaj asaj që ai e cilësoi si një proces të bazuar në një raport fantazish.
“Pata privilegjin të isha me presidentin Donald Trump në ditën e themelimit të Bordit të Paqes dhe i përmenda diçka që e kam shumë për zemër, që ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare dhe konkretisht me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, shën.red.), e cila është krijuar duke u mbështetur në një raport fantazish, i sponsorizuar nga rusët, nga delegacioni i Vlladimir Putinit në Këshillin e Evropës, që mbështeti një mocion për të hetuar të ashtuquajturat krimet e UÇK-së, dhe specifikisht trafikimin e organeve njerëzore”.
“Gjykata u ngrit për ta kthyer në njëfarë mënyre këtë raport fantazish në një proces kundër udhëheqësve dhe morën nga zyra një president që ishte në detyrë dhe e sollën në Hagë, duke e burgosur përpara një akuze zyrtare, si edhe kryetarin e Parlamentit. Më pas, i gjithë procesi u kthye në diçka krejt tjetër, pasi nuk kishte ndodhur asnjë trafikim i organeve njerëzore”.
“Dhe ata praktikisht akuzohen se kanë udhëhequr një rebelim kundër një okupatori dhe për bashkëpunim me NATO-n. Praktikisht kjo është substanca. I thashë presidentit Trump se kjo është diçka që ai duhet ta dijë dhe shpresoj që ai të mund të ndërhyjë”.
Rama u pyet nëse i ka kthyer përgjigje Trumpi deri më tani.
“Nuk më ka kthyer përgjigje akoma, supozoj se ka qenë shumë i zënë”, tha Rama në këtë intervistë.









