Policia e Kosovës dhe Ambasada e SHBA-së mbajtën trajnim për menaxhimin e incidenteve kritike

Sot u mbajt ceremonia përmbyllëse e aktivitetit trajnues “Menaxhimi i Incidenteve Kritike”, i organizuar nga programi ATA – Zyra Rajonale e Sigurisë pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Në këtë ceremoni mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, së bashku me menaxhmentin e lartë të Policisë së Kosovës, përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së, përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerë të sigurisë.

“Trajnimi, i zhvilluar gjatë periudhës 14–21 janar, kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale për menaxhimin e incidenteve kritike dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional në nivel kombëtar. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga: Ministria e Punëve të Brendshme (Divizioni për Infrastrukturë Kritike, Siguria e Aviacionit Civil dhe Departamenti për Siguri Publike), Ministria e Energjisë, Ministria e Planifikimit Hapësinor, Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit e Kosovës, Agjencia e Menaxhimit Emergjent, Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit (rajonet e Mitrovicës), Ministria e Shëndetësisë, QKUK, QKMF Prishtinë, Shërbimi Emergjent i Komunës së Prishtinës (194), Kryqi i Kuq i Kosovës, KEK dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit – Prishtinë”, tha Policia e Kosovës në një njoftim.

Për shkak të rëndësisë së këtij aktiviteti, Policia e Kosovës u përfaqësua në nivelin më të lartë ekzekutiv, me përfaqësues nga niveli qendror dhe drejtorët e rajoneve policore.

Me këtë rast, Hoxha theksoi rëndësinë strategjike të këtij trajnimi për rritjen e gatishmërisë institucionale dhe përmirësimin e reagimit të koordinuar ndaj sfidave të sigurisë, duke nënvizuar se bashkëpunimi ndërinstitucional është kyç për një reagim efektiv në nivel kombëtar.

“Policia e Kosovës shpreh mirënjohje të veçantë për programin ‘ATA’ dhe Ambasadën e SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin profesional dhe avancimin e kapaciteteve të sigurisë në vend. Po ashtu, falënderohen të gjithë përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse për angazhimin dhe kontributin e tyre në këtë trajnim të rëndësishëm. Ky aktivitet dëshmon përkushtimin e përbashkët për ndërtimin e një sistemi të integruar dhe të qëndrueshëm të sigurisë, në shërbim të qytetarëve dhe stabilitetit të vendit”.