Shkarkimi i Komisionit të Jurisprudencës, Gruda: “As në diktaturë nuk ndodh kjo!”

Përparim Gruda i Partisë Demokratike të Kosovës e ka cilësuar “anti-kushtetues” vendimin e qeverisë për shkarkimin e përbërjes së Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Gruda, në një mbledhje të Komisionit për Legjislacion të martën, ka thënë se shkarkimi i kësaj trupe është anti-kushtetues. Ka thënë se për këtë çështje tashmë ekziston një precedent.

“Nëse i keni larguar ata prej detyre, është një vendim i Gjykatës Kushtetuese për rastin e Bordit të RTK-së kur ia ka kthyer kësaj shumice, a dini çfarë ka thënë? Vendimi duhet të përmbajë arsyet individuale për secilin për shkarkim. Nuk mund t’i shkarkosh kolektivisht sepse sot po flasim edhe dinjitetin e atyre veç e veç (anëtarëve të Komisionit)”, tha Gruda.

Ai e quajti të çuditshëm vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e përbërjes së kaluar të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës dhe emërimin në krye të këtij komisioni të kryesuesit të Këshillit Prokurorial, Arian Gashi, të dyshuar për lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ndërrimi kaq i çuditshëm, më shumë lë shije që dikush s’ka kalu [provimin e jurisprudencës, v.j] sesa që s’u mbajt provimi”, tha deputeti i Partisë Demokratike. “Mos me shkru asnjë fjalë arsyetim, kjo veç në diktaturë në ndodhë. Vendim që afeton të drejtat e njeriut dhe nuk ka arsyetim, kjo vetëm në diktaturë ndodh. Çdo vendim që afekton të drejtat dhe liritë e njeriut duhet të arsyetohet saktë”.

Deputeti i Vetëvendosjes, anëtari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli tha se arsyeja e shkarkimit të komisionit është mosorganizimi i afateve të Provimit të Jurisprudencës.

“Komisioni ka dështuar të mbajë provimin e jurisprudencës për një vit rresht për arsye të mosbesimit të thellë të kandidatëve që i janë nënshtruar këtij provimi. Unë e kam dëgjuar ministren e Drejtësisë duke e arsyetuar këtë qëndrim dje dhe duke qenë se kredibiliteti i Komisionit në ikje është cenuar… edhe personat në shkuarje, edhe personat në ardhje, janë persona të cilët besohet se do ta rrisin kredibilitetin”, tha Qorrolli.

“Për një vit rresht ky komision nuk e ka mbajtur provimin dhe janë me mijëra kandidatë të cilët e kanë paraqitur provimin dhe nuk po arrijnë t’i nënshtrohen provimit”, sipas Qorrollit.

Komisioni për Provimin e Jurisprudencës, me në krye kryegjyqtarin e Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepin u shkarkua rreth tetë muaj para skadimit të mandatit që i garantohet me Ligj.