Odegaard: Të përqendruar te ndeshja tjetër, titulli do të vendoset në minutën e fundit

Fillimisht Eze goditi shtyllën e më pas Gabriel goditi traversën. Megjithatë, Arsenal mbeti duarbosh në përballjen me Manchester City, duke parë epërsinë e “topçinjve”, e cila dy javë më parë ishte 9 pikë, të reduktohet në vetëm 3 pikë.

Madje ajo mund të fshihet tërësisht të mërkurën, nëse “qytetarët” fitojnë ndeshjen ndaj Burnley. “Ajo humbje ishte frustruese për ne”, tha kapiteni i Arsenal, Martin Odegaard, duke kujtuar atë sfidë të luajtur në “Etihad”.

Ishte një ndeshje shumë e ngushtë, plot incidente, me dy ekipe të shkëlqyera që luanin kokë më kokë me njëra-tjetrën. Ishin diferencat e vogla ato që vendosën rezultatin, kështu që duhet të marrim anët pozitive dhe të përqendrohemi te ndeshja tjetër“, tha Odegaard.

Patëm disa momente të shkëlqyera dhe mendoj se arritëm të ushtrojmë shumë presion në zonën e penalltisë drejt fundit. Diferencat e vogla dhe detajet vendosin ndeshje si kjo, kështu që është më mirë të mësojmë nga kjo dhe të ecim përpara“, shtoi norvegjezi.

Arsenal nuk mund të përballojë të bëjë gabime të tjera në pesë ndeshjet e mbetura të Premier League, me Manchester City që është në pritje dhe gati për të kapur hapin e gabuar të radhës.

Ne duhet të vazhdojmë, të vazhdojmë të ecim përpara. Gjithçka do të vendoset në minutën e fundit, kështu që duhet të këmbëngulim, të vazhdojmë të punojmë shumë dhe të qëndrojmë të bashkuar“, shtoi Odegaard

Më tej, kapiteni i Arsenal komentoi: “Thjesht duhet të shikojmë drejt ndeshjes tjetër tani, të reagojmë dhe të vazhdojmë të shtyjmë. Ka frustrim tani, por ne do ta analizojmë ndeshjen dhe do të kalojmë te tjetra për t’u rikuperuar menjëherë.”

“Gjithçka është ende në lojë dhe është pjesa më e rëndësishme e sezonit. Kemi gjithçka për të cilën të luftojmë, kështu që tani thjesht duhet të shikojmë ndeshjen tjetër dhe të vazhdojmë nga aty“, përfundoi Martin Odegaard.

The post Odegaard: Të përqendruar te ndeshja tjetër, titulli do të vendoset në minutën e fundit appeared first on Telesport.