Me vëlla të emëruar nga Qeveria në krye të një bordi publik dhe motër të angazhuar politikisht në listën e pushtettit, Arian Gashi po avancon edhe më tej në strukturat kyçe të drejtësisë.
Komisioni që vendos për fatin profesional të juristëve në Kosovë, ai për Provimin e Jurisprudencës, pritet të drejtohet nga Arian Gashi, një emër i cli lidhet me strukturat e pushtetit aktual.
Komisioni për Provimin e Jurisprudencës, që shërben si test final për juristët e diplomuar, pa të cilin nuk mund të ushtrohet profesioni i gjyqtarit, prokurorit apo avokatit është bërë me përbërje të re me një vendim të Qeverisë.
Ky vendim, i miratuar në mbledhjen e së hënës, parasheh që Arian Gashi të marrë drejtimin e këtij komisioni, duke zevendësuar përbërjen e mëparshme, për të cilën qeveria kishte shprehur pakënaqësi.
Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Qeverisë, me propozim të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe me mbështetje unanime të kabinetit.
Me këtë, përbërja e deritanishme e komisionit shkarkohet, ndërsa një trupë e re vendoset në krye të mekanizmit që përbën testin final për çdo jurist që synon të bëhet gjyqtar, prokuror apo avokat.
Arian Gashi dihet për lidhjet e tij të ngushta me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, për të cilat kishte raportuar Paparaci.
Vëllai i tij, Urim Gashi është një i emëruar në funksion të lartë publik nga qeveria e Albin Kurtit.
Tash e disa vjet ai është udheheqës i bordit të ndërmarrjes publike KRU “Gjakova”.
Ketë post të rëndësishëm, në udhëheqje të trupës më të lartë të ndërmarrjes publike, Urim Gashi e ka marrë me miratimin e qeverisë në një mbledhje me 20 korrik të vitit 2022.

Përpos vëllait, edhe motra e tij rezulton të jetë e lidhur ngushtë me pushtetin.
Pranvera Berisha-Gashi është zyrtare e partisë Guxo në Suharekë, partneres qeverisëse të Vetëvendosjes së Albin Kurtit.
Në zgjedhjet lokale të tetorit 2021, Berisha-Gashi ka kandiduar për një ulëse në Asamblenë Komunale të Suharekës në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ka qenë e renditur e dyta në listën zgjedhore, poshtë kandidatit për kryetar Sali Zybës.
Në fushatën e zgjedhjeve lokale të atij viti, motra e prokurorit të Prokurorisë së Apelit, me gjuhën e Vetëvendosjes fliste për “çkapje të institucioneve nga punësimet, investimet dhe favorizimet partiake”.

Vetë Gashi i ka pranuar këto fakte publikisht, por ka mohuar çdo ndikim të tij në emërimet e familjarëve.
Gashi kishte konfirmuar raportimin e Paparacit se vëllai i tij, Urim Gashi është kryesues i Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” dhe se motra e tij, Panvera Berisha kishte garuar për asamble komunale në listën e Vetëvendosjes.
Në një intervistë në emisionin Tempus, prokurori që më 13 mars u zgjodh drejtues i organit më të lartë të sistemit prokurorial, mohoi të ketë ndikuar në zgjedhjen e vëllait të tij në bordin e ndërmarrjes publike.
I pyetur për garimin e motrës së tij në listën e përbashkët të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Guxos në zgjedhjet lokale të vitit 2021, ish-prokurori i Prokurorisë së Apelit tha se “jetojmë në një vend të pavarur” ku bindjet politike janë e drejtë zgjedhjeje personale për secilin individ.









