LVV e “kap” edhe një ndërmarrje publike, Shaban Neziri emërohet kryesues i Bordit të Telekomit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 11-të, ka miratuar propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për emërimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës”.

Kryeministri Albin Kurti, ka bërë të ditur se kryesues i këtij bordi është emëruar Shaban Neziri.

“Për kryesues të këtij bordi propozohet Shaban Neziri”, tha ai. Propozimi i tij më pas mori votën e ministrave.

Kjo është ndërmarrja e tretë publike në të cilën emërohet Shaban Neziri derisa pushteti i takon Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Kjo është ndërmarrja e tretë publike në të cilën emërohet Shaban Neziri derisa pushteti i takon Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Më 24.04.2025, Shaban Neziri ishte emëruar u.d kryeshef ekzekutiv në Bordin e drejtorëve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovë (KOSTT).

Ky vendim kishte ardhur pas shkarkimit të kryeshefit Evetar Zeqiri në po të njëjtën ditë.

Kurse, më 10.08.2022, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kishte emëruar Nezirin në Bordin e ri të Ndërmarjes Publike Qendrore Hekurudhat e Kosovës “Trainkos”.

Ai ishte në mesin e gjashtë anëtarëve të bordit të kësaj ndërmarrjeje. Neziri ishte anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje në shtator të vitit 2018. Ai ishte prezantuar si prurje e re në parti nga deputeti i kësaj partie, Valon Ramadani.

Në një pronocim për KALLXO.com, vetë Shaban Neziri kishte thënë se është emëruar anëtar bordi në “Trainkos”, por kishte mohuar të jetë pjesë e partisë e cila qeveris me vendin.“Jo, nuk jam, nuk jam tash. Atëherë ka qenë viti 2018. Për shkak edhe të disa problemeve shëndetësore, më nuk jam”, ishte deklaruar shkurt Neziri.