Zgjidhet kryetari i ri i AKR-së

Emir Abrashi nga shoqëria civile është zgjedhur kryetar i Aleancës Kosova e Re. Lajmin e ka bërë të ditur vet Abrashi përmes një postimi në faqen e tij në Facebook.

Ai ka njoftuar se mbrëmë është mbajtur Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor ku u zgjodhën organet e reja drejtuese të partisë.

Abrashi ka thënë po ashtu se AKR-ja do të hyjë në një fazë të thellë reformimi për të ofruar një alternativë të besueshme politike.

“Me shumicë votash, mora besimin për ta udhëhequr AKR-në në katër vitet e ardhshme. Ky është një nder i madh, por mbi të gjitha një përgjegjësi serioze ndaj secilit prej jush dhe ndaj qytetarëve të Kosovës. AKR do të hyjë në një fazë të thellë reformimi dhe ristrukturimi, me synimin për të ofruar një alternativë të besueshme dhe moderne politike. Shpreh mirënjohjen time të veçantë për Presidentin Emeritus të AKR-së, z. Behgjet Pacolli, për mbështetjen dhe besimin e tij në këtë proces. Bashkëpunimi ynë, duke ndërthurur përvojën e tij të vyer me energjinë dhe vizionin tim, do të jetë kyç për rikthimin e AKR-së aty ku e ka vendin — në institucionet e vendit, si një zë konstruktiv, i përgjegjshëm dhe i orientuar drejt interesit publik”, ka shkruar Abrashi.

Abrashi ka thënë po ashtu se bashkëpunimi me shoqërinë civile pjesë e së cilës ishte deri më tani, do të vazhdojë në forma të reja dhe në shërbim të së mirës publike.