Guvernatori Ismaili mirëpritet nga Zëvendëspresidenti dhe Drejtuesi i Thesarit të Grupit të Bankës Botërore

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, u mirëprit në selinë e Bankës Botërore nga Zëvendëspresidenti dhe njëherësh Drejtuesi i Thesarit i Grupi të BB-së, z. Jorge Familiar në kuadër të Takimeve Pranverore 2026 në Washington DC.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore ndaj BQK-së, veçanërisht në ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe në avancimin e praktikave të menaxhimit të rezervave ndërkombëtare.

Në vijim, Guvernatori i BQK-së theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në kuadër të programeve si Partneriteti për Këshillim dhe Menaxhim të Rezervave (RAMP), duke vënë në pah përfitimet konkrete në avancimin e praktikave të investimit dhe menaxhimit të riskut.

Në këtë drejtim, me qëllim të forcimit të kapaciteteve institucionale, BQK ka avancuar bashkëpunimin me programin e Thesarit të Bankës Botërore (RAMP), duke kaluar në fazën e menaxhimit aktiv të portofolit, me ç’rast është nënshkruar edhe marrëveshja e re e bashkëpunimit. Programi përfshin rreth 100 institucione anëtare në nivel global, kryesisht banka qendrore, me mbi 30 miliardë dollarë amerikan asete nën menaxhim nga Thesari i Bankës Botërore. Duke filluar nga ky vit, një pjesë e këtyre aseteve të menaxhuara do të jenë edhe fondet qe menaxhohen nga BQK.
Nga ana e tij, z. Familiar vlerësoi progresin e arritur nga BQK dhe rikonfirmoi mbështetjen e Bankës Botërore për projektet dhe iniciativat që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit financiar.

Në fund, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për delegacionin e RAMP-it të Bankës Botërore, për ekspertizën e tyre të vlefshme dhe përpjekjet bashkëpunuese në avancimin e praktikave të menaxhimit të Rezervës dhe iniciativave për ngritjen e kapaciteteve në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.