Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit katër të dyshuarve që u kapën me rreth 18 kg heroinë në Prizren.
A.D., M.B., S. Sh., dhe M.Sh., po dyshohen për veprën penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge.
Në arsyetimin e aktvendimit gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masa ideale për shkak se ekziston rreziku real që të pandehurit t’i shmangen procedurës penale dhe të mos i përgjigjen organeve të drejtësisë.
Gjithashtu gjykata ka vlerësuar edhe natyrën e veprës penale, mënyrën e kryerjes dhe sasinë e sekuestruar.
Katër të dyshuarit ishin arrestuar të martën nga Policia e Kosovës pas një operacioni të koordinuar me Prokurorinë Speciale.









