Sorensen sot në Kosovë për takim me Kurtin

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do të qëndrojë sot në Prishtinë, ku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kështu ka thënë një burim në Bruksel për Radion Evropa e Lirë.

Vizita e Sorensenit në Prishtinë vjen pas asaj që zhvilloi në Beograd më 9 prill, ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Emisari evropian tha se me Vuçiqin zhvilloi diskutime për avancimin e diskutimeve për çështjet kryesore të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe analizimin e përparimit për Ligjit për të huajt në Kosovë.

Sipas burimeve jozyrtare po punohet intensivisht për organizimin e një rundi të ri të dialogut në nivel udhëheqësish. Kjo është arsyeja kryesore pse Sorenseni kohët e fundit ka intensifikuar bisedimet me faktorë të ndryshëm relevantë, përfshirë edhe me palën amerikane.

Siç kanë bërë të ditur burime diplomatike për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur gatishmëri për të shkuar në Bruksel për t’u takuar në kuadër të dialogut me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por për momentin nuk ka konfirmim se sa është i gatshëm për këtë udhëheqësi kosovar.