Flick: E meritonim të ishim në gjysmëfinalet e Champions-it, por fati nuk deshi…

Hansi Flick dha vizionin e tij për ndeshjen kundër Atlético Madridit, e vlefshme për kthimin e çerekfinaleve të Champions League. Barcelona fitoi 2-1, por u eliminua nga turneu kontinental. Trajneri gjerman u shfaq i mërzitur, por krenar për lojtarët e tij.

Ndjesitë – “Jemi të zhgënjyer. Patëm mundësinë të bënim 3-0 dhe në fund pësuam atë gol. Krijuam shumë raste, por nuk i konkretizuam. Jemi të zhgënjyer”.

Ndeshja – “Kemi bërë një ndeshje fantastike. Luajtëm me një lojtar më pak, por paraqitja ka qenë fantastike. E vlerësoj vërtet atë që pashë sot. Nuk patëm shumë fat, duhet ta pranojmë”.

Detajet – “Vendosën detajet e vogla. Duhet t’i bëjmë gjërat më mirë, por skuadra dha gjithçka. Puna ishte fantastike, por nuk ia dolëm”.

Përmirësimi – “Kemi folur për mënyrën si të përmirësohemi. Në pjesën e parë duhej të shënonim më shumë gola. Nuk e prisnim golin e tyre. Duke parë të dyja ndeshjet, e meritonim të ishim në gjysmëfinale”.

Champions – “Hapi tjetër është të fitojmë La Liga-n, jemi në rrugë të mbarë. Duhet të vazhdojmë kështu, ta ruajmë mentalitetin. Jemi të zhgënjyer të gjithë, ta fitojmë Champions-in është një ëndërr. Duhet të mësojmë nga gjërat për t’u përmirësuar. Jemi një skuadër e re, sezonin tjetër do të përmirësohemi”.

Arbitrimi – “Nuk dua të flas për këtë sepse është diçka që nuk mund ta ndryshoj. Është mirë për ju që të flas, por nuk dua ta bëj”.

Karton i kuq – “Lojtarët duhet të bëjnë një hap përpara në këtë drejtim, jemi skuadër e re. Do të përmirësohemi edhe në këto gjëra. Të gjithë mund të jenë të kënaqur sot me atë që kemi bërë. Çdo ditë duhet të mësojmë dhe të jemi më të mirë. Punojmë me lojtarët, jemi të zhgënjyer, por ky është futbolli”.

La Liga dhe “El Clásico” – “Nuk më intereson kur ta fitojmë, dua ta fitoj. Është e vështirë, tani duhet të përqendrohemi te La Liga. Besonim se mund ta përmbysnim Atletico Madridin, por nuk patëm fat. Duhet ta pranojmë realitetin”.

The post Flick: E meritonim të ishim në gjysmëfinalet e Champions-it, por fati nuk deshi… appeared first on Telesport.