AUV ndalon importim e deleve dhe dhive nga Shqipëria

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka vendosur masë ndalesë të pakohshme, për import të ruminantëve të vegjël Dele dhe Dhi nga gjithë territori i Shqipërisë.

Vendimi u mor pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës.

AUV thërret për vëmendje komunat e Kosovës të brezit kufitarë me Shqipërinë, përmes drejtorive të për Bujqësi të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitarë.

Po ashtu kërkohet që fermerët mbajtëse të deleve dhe dhive të mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre, të shmangin çfarëdo kontakti me kopetë e fermerëve nga Shqipëria.

“Autoritetet kufitare do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat kufitare dhe zonat e brezit kufitar me Shqipërinë, me qëllim parandalimin e futjes së sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

PPR është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, ndërsa burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet.

Shenjat klinike përfshijnë: temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, ulje të oreksit, diarre dhe në raste të rënda, ngordhje. Kjo sëmundje nuk është zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.