Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që për sivjet të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.
Në një komunikatë për media, ZRRE-ja ka njoftuar për publikimin e raporteve konsultative për të hyrat e lejuara maksimale për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), dhe Furnizuesin e Shërbimit Universal (KESCO).
Në këtë njoftim është thënë se ZRRE-ja ka propozuar që të shmanget ndikimi i menjëhershëm dhe që kjo të shpërndahet në më shumë se një periudhë tarifore, nëpërmjet një mekanizmi të profilizimit të kostove.
“Ky mekanizëm parasheh që një pjesë e kostove të rritura të furnizimit të shpërndahet në më shumë se një periudhë tarifore, me qëllim zbutjen e ndikimit në tarifa për një vit të vetëm. Ky trajtim nuk përfaqëson ulje reale të kostove, por një shpërndarje të tyre në kohë, duke kontribuar në stabilitetin e furnizimit dhe përballueshmërinë për konsumatorët. Pra ZRRE propozon që për këtë vit relevant tarifor të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët e shërbimit universal”, thuhet në komunikatë.









