Sorenseni në Departamentin e Shtetit, takohet me Hanrahanin

Në Washington të premten është zhvilluar një takim ndërmjet zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, Brendan Hanrahan dhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Takimi u mbajt në DASH, rreth orës 11:15 sipas kohës lokale, dhe ishte i mbyllur për media.

Në njoftimin e agjendës ditore të DASH-it thuhet se Hanrahan, në cilësinë e zyrtarit të lartë të Byrosë, priti në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Beograd–Prishtinë, pa dhënë detaje shtesë mbi temat e diskutuara.

Vizita në Shtetet e Bashkuara e Sorensenit pason dakordimin e fundit me Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, lidhur me Ligjin për të Huajt.

Hanrahani qe takuar edhe me Kurtin edhe me presidenten Vjosa Osmani gjatë vitit 2025.