Vetëvendosja akuzon ambasadorët e vendeve aleate se po e shkatërrojnë Kushtetuesen me ndërhyrje

Adnan Rrustemi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka pretenduar se disa ambasadorë – pa përmendur emra – janë duke ndërhyrë në punën e Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një postimi në Facebook, Rrustemi ka kërkuar nga ambasadorët që të “mos e shkatërrojnë” Kushtetuesen, pasi që thotë se “dëmet do jenë të pariparueshme”.

“I lus disa ambasadorë që të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita, takime e ndërhyrje, sepse dëmet për vendin tonë do të jenë të pariparueshme”, shkroi Rrustemi.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese është duke e shqyrtuar dekretin e Presidentes Vjosa Osmani, e cila më 6 mars e shpërndau Kuvendin për shkak të dështimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Ankesa në Kushtetuese është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që po konsiderojnë se dekreti është antikushtetues.

Kushtetuesja nga ana tjetër, të hënën vendosi masë të përkohshme deri në më 31 mars.