Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese vendosi masën kushtetuese që deri më 31 mars Presidenca e Kuvendi mos të ndërmarrin asnjë veprim.
Nagavci ka thënë se besojnë se kërkesa dhe argumentet e tyre janë të qarta.
Më poshtë postimi i plotë:
Mirëpresim vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese ndaj dekretit të Presidentes.
Besojmë se kërkesa jonë është e drejtë dhe se argumentet tona janë të qarta e të bazuara në Kushtetutë. Presim një trajtim profesional nga Gjykata dhe miratimin e kërkesës sonë.
Ashtu siç e kemi cekur edhe në Kërkesë, presim që Gjykata të nxjerrë Aktgjykim me të cilin vendos:
-të anulojë Dekretin nr. 24/2026, të datës 06.03.2026, të Presidentes për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë (X) të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
-si dhe të urdhërojë deputetët e Kuvendit që të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit/Presidentes së re, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh nga nxjerrja e këtij aktgjykimi.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend.










