Milan i ka dhënë fund ecurisë pozitive të Interit në Serie A, duke i shkaktuar humbjen e parë pas shumë javësh, në kryesfidën e javës së 28-të në Serie A. Kuqezinjtë fitojnë me rezultatin minimal 1-0 në “Derby della Madonnina” dhe rihapin garën për titullin kampion.
Milan e nisi më mirë takimin duke qenë pranë golit që në minutën e 3-të, ku pas një gafe të Yann Sommer, goditja e Luka Modric përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë.
Minutat në vazhdim ishin të qeta dhe nuk kishte ndonjë rrezik konkret për të dy ekipet, ku asnjëra prej tyre nuk i la hapësirë kundërshtarit. Sfida u zhbllokua në minutën e 35-të, ku pas një aksioni model dhe asistit fantastik të Youssouf Fofana, ishte Pervis Estupinan që dërgoi topin në portën e Sommer. Ky është goli i parë për mbrojtësin ekuadorian me fanellën e Milanit dhe ndodh pikërisht në derbi.
Në minutën e 39-të, Milan pati një mundësi të mirë me Alexis Saelemaekers, por goditja e belgut përfundon mbi traversë. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për Milanin.
Pjesa e dytë nis më mirë për Interin, ku rasti i parë vjen në minutën e 48-të, ku goditja e Piotr Zielinksi devijohet nga Maignan. Një minutë më pas, ishte Milan që me një kundëruslm të shpejtë kishte një mundësi të mirë për të gjetur golin e dytë me Rafa Leao-n, por goditja e portugezit përfundon jashtë portës së Sommer.
Në minutën e 54-të, Federico Dimarco nuk iu beson dot syve me rastin që humbi. Një mundësi e jashtëzakonshme për zikaltrit për të barazuar shifrat, por anësori shpërdoron.
Në minutën e 58-të, pas një pasimi fantastik të marrë nga Fofana, Leao shpërdoron një rast ideal për të dyfishuar shifrat. Portugezi godet shumë keq në fund. Në minutën e 68-të, Alessandro Bastoni lë fushën e lojës i dëmtuar. Në vijim pritet të mësohet nëse bëhet fjalë për dëmtim serioz apo jo.
Pavarësisht zëvendësimeve të kryera nga të dy trajnerët respektiv, rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Milan fiton 1-0 dhe rihap garën për titullin. Inter kryeson me 67 pikë, Milan ndjek me 60 pikë.
The post Milan fiton derbin dhe rihap garën për titull. Merr fund ecuria pozitive e zikaltërve (video) appeared first on Telesport.










