Ymeri: Kushdo nga Jasharët që hyn në politikë të trajtohet si Ramush Haradinaj

Komentatori politik Visar Ymeri ka thënë se individë që i përkasin familjes Jashari nga Prekazi kanë të drejtë të hyjnë në politikë, por si politikanë ata “duhet të trajtohen sipas perfomancës së tyre” e jo në bazë të vlerave të familjes.

Në emisionin VV Show të transmetuar të dielën në RTV Dukagjini, Ymeri tha se edhe Jasharët kanë të drejtë të merren me politikë, biznes e fusha të tjera.

“Familja Jashari si vlerë dhe individët pjesëtarë të familjes Jashari, megjithatë nuk janë një dhe e vetmja gjë. Për shembull, Bekim Jashari, Murat Jashari, Bashkim Jashari dhe të tjerët që vijnë pastaj kanë të drejtë të merret me politikë, kanë të drejtë të merren me biznes, kanë të drejtë të shkollohen”, tha ai.

Por, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës u shpreh se cilido individë nga familja Jashari që futet në politikë duhet të trajtohet sipas standardit me të cilin është vlerësuar edhe Ramush Haradinaj.

“Vlerat të cilat i simbolizon familja Jashari, janë vlera të cilat ne do t’i mbajmë përherë dhe uroj që t’i mbajmë gjithmonë si vlera udhërrëfyese të nevojës për sakrificë, por individët që futen në politikë do t’i vlerësojmë sipas performancës së tij politike. Edhe lufta e z.Ramush Haradinaj ka vlera të mëdha për çlirimin e Kosovës, por Haradinajn e kemi këqyrë si politikan. E kemi thënë që e ka pasur një qeveri të korruptuar”, ka thënë Ymeri.