I dalë nga akademia e Barcelonës, Gerard Deulofeu, konsiderohej si një nga talentet më të mëdha të futbollit në Spanjë dhe jo vetëm, por karriera e tij mori një rrjedhë të ndryshme nga ajo që pritej.
Ish-anësori i Barcelonës, Evertonit dhe Watfordit, Gerard Deulofeu, po i afrohet asaj që ai e përshkruan si “mrekulli”. 31-vjeçari nuk ka luajtur ndeshje zyrtare që nga janari 2023, pasi pati probleme të përsëritura në gjurin e djathtë. Paraqitja e tij e fundit ishte me Udinesen kur luajti 12 minuta në fitoren 1-0 kundër Sampdorias në Serie A, në janar 2023.
Pasi iu nënshtrua operacionit, dolën komplikime të papritura siç ishte një infeksion serioz që dëmtoi kërcin në gjurin e tij, duke i lënë mjekët të shqetësuar për lëvizshmërinë afatgjatë.
Gjatë një interviste të fundit me BBC, Deulofeu foli hapur për koston fizike dhe mendore të rikuperimit të tij. Ai tha se dëmtimi i kushtoi jetën personale dhe e përshkroi dhimbjen si përvojën më të vështirë që ka përjetuar ndonjëherë.
Sulmuesi shpjegoi se gjuri i tij kishte nevojë për kohë për t’u shëruar siç duhet dhe se kthimi shumë herët do të kishte rrezikuar dëmtime të përhershme. Pas muajsh pengesash, ai iu nënshtrua një trajtimi të rrallë me bazë qelizore në fund të vitit 2023, të cilin mjekët e përshkruan si shansin e tij më të mirë për të luajtur përsëri.
Tani, pas më shumë se 1100 ditësh larg futbollit, Deulofeu thotë se më në fund ndjen përparim dhe është shumë afër rikthimit në fushë, por kjo gjë do të vijë hap pas hapi pa u nxituar.
Edhe pse momentalisht është pa klub, Deulofeu ka refuzuar të dalë në “pension”, duke qenë besimplot se sezoni i ardhshëm do ta gjejë atë sërish në fushë.
The post “Jam shumë afër mrekullisë”, ish-ylli i Barcelonës refuzon të dalë në pension në moshën 31-vjeçare appeared first on Telesport.










