“Kur e zëvendësova, Messi ishte i zhgënjyer dhe më tha: Duhet të më pyesësh”

Mauricio Pochettino foli për periudhën e tij si trajner i PSG-së (2020-2022), ku drejtoi Lionel Messin, Neymar dhe Kylian Mbappé. Trajneri argjentinas, sot në pankinën e kombëtares së SHBA-së, tregoi në një intervistë për “High Performance” sa ndryshe është të menaxhosh yje të këtij niveli.

“Lionel Messi, Neymar Junior dhe Kylian Mbappé dukeshin më të mëdhenj se vetë klubi. Këta lojtarë kanë më shumë ndjekës se institucioni. Çdo vendim prek miliona njerëz”, – shpjegoi ai, duke shtuar se synimi i tij ishte “të krijonte një ambient normaliteti edhe në rrethana të jashtëzakonshme”. Pochettino theksoi se nuk pati kurrë probleme disipline apo mungesë respekti dhe se lojtarët në fjalë ishin gjithmonë profesionistë me stafin teknik.

Ai rrëfeu edhe një episod me Messin, kur e zëvendësoi ndaj Lyon: “Ishte i zhgënjyer dhe më tha: Duhet të më pyesësh”. Trajneri tha se e zëvendësoi që të mbronte gjurin e ikonës argjentinase. Më pas, Messi u rikthye, shënoi ndaj Manchester City dhe në dhomat e zhveshjes thjesht e përqafoi.

 

The post “Kur e zëvendësova, Messi ishte i zhgënjyer dhe më tha: Duhet të më pyesësh” appeared first on Telesport.