Tërmeti në Kosovë, deklarohen nga Komuna e Prishtinës

Për tërmetin ka shkruar edhe drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica.

Ai ka thënë se nuk ka raportime për dëme serioze apo të lënduar, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve ta ruajnë qetësinë.

Ai ka thënë se institucionet janë duke monitoruar situatën.

“Institucionet e sigurisë dhe emergjencave janë në gatishmëri të plotë. Çdo informacion i ri do të komunikohet në kohë reale”, ka shkruar Fushtica.

Fushtica ka dhënë edhe udhëzime se çfarë duhet bërë.

“Qëndroni të informuar vetëm nga burime zyrtare; Nëse ndjeni lëkundje të tjera, qëndroni larg dritareve, rafteve dhe objekteve që mund të bien; Në ambiente të mbyllura, strehohuni nën një tavolinë të fortë ose pranë një muri mbajtës; Pas përfundimit të lëkundjeve, dilni me qetësi në hapësira të hapura, duke shmangur panikun dhe grumbullimet; Mos përdorni ashensorët. Kujdes shtesë: Kontrolloni me kujdes banesat për dëmtime të mundshme; Ndihmoni fëmijët, të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta; Telefononi shërbimet emergjente vetëm në raste të domosdoshme, për të mos bllokuar linjat”, ka shkruar Fushtica.