Kur kanë mbetur edhe dy ditë afat që Gjykata Supreme të dalë me vendim sa i përket ankesave për zgjedhjet e 28 dhjetorit, njohës të politikës shprehen optimist se deri në mes të shkurtit, Kosova do t’i ketë institucionet e reja.
Vullnet Buqaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës thotë se në momentin kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikon rezultatet e zgjedhjeve hapet afati kushtetues për presidenten e Republikës që ta caktojë dhe ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.
“Nga pikëpamja kohore, unë besoj se kjo mund të realizohet rreth mesit të këtij muaji, pra si thirrja e seancës, ashtu edhe mbajtja e saj dhe vetë konstituimi i Kuvendit në përputhje të plotë me afatet dhe parametrat kushtetues. Megjithatë, duhet të pritet dinamika e zhvillimeve dhe mënyra se si Gjykata Supreme e Kosovës do t’i trajtojë ankesat e paraqitura. Gjithçka është e ndërlidhur me këtë proces dhe me epilogun që do të kenë këto ankesa në Supreme”, tha Buqaqku.
Në mënyrë që vendi të dal nga bllokada institucionale, është kërkuar konsensus mes partive politike sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri.
“Thirrja e seancës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës mund të ndodhë në fund të muajit shkurt, por po ashtu mund të jetë edhe në fillim të marsit, më 1, 2, 3 apo 4 mars. Pastaj a përfundon apo jo më 4 mars zgjedhja e presidentit mbetet të shihet në seancë se a ka vullnet politik ët partive politike për ta zgjedhur presidentin”, tha Buqaqku.
Procesi i krijimit të institucioneve është konsideruar si vendimtar për stabilitetin politik e ekonomik të vendit./RTK










