Interi mendon rinovimin e Dimarco. Anësori dëshiron të qëndrojë, negociatat së shpejti

Me mbylljen e merkatos, tek Interi po mendohet për rinovimet. Klubi zikaltër dëshiron të blindojë një nga simbolet e skuadrës. Milanez, interist që nga fëmijëria, tifoz i ekipit të zemrës në “Curva Nord” së bashku me xhaxhain, Federico Dimarco është padyshim një nga shtyllat e ekipit të Chivu, me shifra vërtet mbresëlënëse për një mbrojtës.

Në sezonin aktual, duke llogaritur të gjitha kompeticionet, anësori ka regjistruar 8 asiste, 59 raste të krijuara, ka shkuar drejt portës mesatarisht dy herë për ndeshje dhe ka një mesatare “Expected Goals” prej 2.6 për ndeshje.

Kontrata e tij skadon pas një viti, por, sipas “Gazzetta dello Sport”, klubi ka nisur tashmë punën për ta mbajtur dhe për t’i propozuar rinovim kontrate. Në fund të fundit, lojtari nuk dëshiron të largohet dhe negociata, sapo të nisë, ka shumë gjasa të përfundojë lehtësisht me sukses.

Aktualisht Dimarco përfiton një pagë prej 4 milionë eurosh në sezon. Mbetet për t’u parë cila do të jetë oferta e klubit në momentin e negociatave. Zgjatja e kontratës pritet të jetë deri në vitin 2030, me anësorin që do të lidhet praktikisht gjithë jetën me skuadrën e tij të zemrës.

 

The post Interi mendon rinovimin e Dimarco. Anësori dëshiron të qëndrojë, negociatat së shpejti appeared first on Telesport.