Serge Gnabry rinovon me Bayern, bën sakrificën e madhe vetëm për të qëndruar te bavarezët

Tashmë është zyrtare, Bayern Munich dhe Serge Gnabry do të vazhdojnë bashkëpunimin mes tyre, të paktën edhe për dy vite të tjera. 30-vjeçarit i skadonte kontrata në fund të këtij sezoni dhe mund të largohej falas, por gjeti gjuhën e përbashkët me klubin dhe sot erdhi zyrtarizimi i rinovimit të kontratës deri në vitin 2028.

Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit, Serge Gnabry u shpreh se ishte shumë i lumtur që do të vazhdojë të luajë për bavarezët, edhe pas përfundimit të këtij sezoni.

“Jam i emocionuar që do të luaj për Bayernin për më shumë vite. Bisedat ishin gjithmonë pozitive. Kur fillova te Bayern, nuk do ta kisha menduar kurrë se do të isha këtu për 10 vjet deri në fund të kësaj kontrate.

Arsyet për të rinovuar kontratën time janë ekipi, trajnerët, i gjithë klubi, tifozët, qyteti dhe mjedisi. Ndihem shumë si në shtëpi te Bayern”, u shpreh Gnabry.

Ndërkohë, mediet gjermane zbulojnë se Gnabry ka pranuar ulje rroge vetëm për të qëndruar te Bayern. Nuk do të paguhet më 18 milionë euro në sezon, por 15 milionë euro në sezon.

The post Serge Gnabry rinovon me Bayern, bën sakrificën e madhe vetëm për të qëndruar te bavarezët appeared first on Telesport.