Manchester United shpik “Carrick time”; tifozët rikujtojnë epokën e Alex Ferguson

Manchester United u bë legjendar për fitoret në minutat shtesë nën drejtimin e Sir Alex Ferguson, aq sa në Angli lindi termi “Fergie time”. Tani, “Old Trafford” po përjeton një version të ri, “Carrick time”.

Michael Carrick, i cili e kishte përjetuar shpesh atë ndjesi si lojtar, e provoi për herë të parë si trajner në fitoren dramatike 3-2 ndaj Fulham. Pasi Manchester United u barazua 2-2 në minutën e 91-të, goli i Benjamin Šeško në 94’ solli ekstazë dhe rikthimin e besimit.

“Ky është një vend i veçantë dhe ndodhin gjëra të veçanta. Të shënosh gol fitoreje të tillë të bën ta dëshirosh sërish”, – tha Carrick, pasues i Rúben Amorim. Krahasimi me Ferguson është i pashmangshëm. Wayne Rooney pranoi se tifozët “ndien atë që ishte Manchester United me Ferguson”, duke shtuar se disa të rinj s’e kishin parë kurrë ekipin me kaq energji dhe besim.

Edhe pse ende trajner i përkohshëm, Carrick ka 3 fitore në 3 ndeshje, përfshirë 3-2 ndaj Arsenalit në “Emirates”, duke thyer paragjykimet. Gordon Strachan dhe Rio Ferdinand theksojnë qasjen e thjeshtë dhe përshtatjen e sistemit me lojtarët. Dhoma e zhveshjes është me të: “Ai na ka mësuar çfarë do të thotë të luash për Manchester United”, – u shpreh Matheus Cunha.

 

The post Manchester United shpik “Carrick time”; tifozët rikujtojnë epokën e Alex Ferguson appeared first on Telesport.