Tre persona e rrahin drejtorin e një shkolle në Skenderaj

Drejtori i shkollës së mesme Teknike “Anton Çeta” në Skenderaj, Agron Istogu, është sulmuar fizikisht nga tre persona, dje në vendin e tij të punës. Ai ka pësuar lëndime trupore, ku më pas ka pranuar edhe trajtim mjekësor. Për sulmin është njoftuar edhe drejtori i drejtorisë komunale për arsim dhe policia. Sulmuesit ndodhen në arrati.

Agron Istogu u rrah dje nga tre persona që nuk janë nxënës të shkollës “Anton Çeta”. Në përleshje u përfshinë edhe mësimdhënës të cilët u kërcënuan me armë zjarri nga sulmesit.

Agron Istogu përmend dy arsye që kanë ndikuar që të sulmohet fizikisht.

E përmend që sulmuesit janë ekstremistë fetarë. Këtë e ndërlidh me faktin se respekton në përpikëri rregullat që mos te lejohen elemente fetare në veshjet dhe dukjet e nxënësve në shkollë.

Arsyeja e dytë, sipas tij, është që nuk i ka lënë nxënësit të pinë duhan brenda shkollës, e gjatë rrahjes njëri nga sulmuesit i ka thënë se nuk ia ka lejuar vëllain të pijë duhan.

“Të tre personat kanë qenë me mjekra të gjata dhe pantolla të shkurtër dhe une dyshoj që këta persona më kanë sulmuar për arsye që unë e kam zbatuar strikt rregulloren dhe mjekrroshat nuk i kam lënë në shkollë, andaj mendoj që ky është motivi”, thotë Istogu.

Arsyeja tjetër që e përmend drejtori është duhani.

“I kemi nxan 10 nxënës që ja kemi tërheq vërejtjen për duhan. E dje, një sulmes më tha ma ke rreh vllaun tem, po unë e di që se ka vlla hiç. Jau kam tërheq vërejtjen nxënësve që kan pi duhan. Problemi i tyre kan qenë mjekrat e jo duhani”, rrëfen më tej drejtori.

Drejtori Istogu, sulmuesit po i quan vehabista, sipas tij të njejtit e kanë rrahur edhe Azem Deliun.

“Kam dëgju për ta, e kan rreh edhe shkrimtarin Azem Deliun, janë ekstremista fetar.Këta nuk janë prindër të nxënësve janë ekstremista fetar, se shkolla jonë nuk i lejon me shamia e me mjekra. Ne si kemi lan mu paraqit me mjekra, me këso ekstreme”, thotë ai.

Për këtë rast është informuar edhe drejtori i drejtorisë komunale për Arsim në Skenderaj, Bekim Latifi.

Sipas Latifit motivi i rrahjes është duhani.

“Motivi ska të bëjë me motive morale, ka të bëjë me motive të diciplinës dhe rregullës”, thotë ai.

“I ka gjetë nxënësit t’u pi duhan, duhani ndalohet. Drejtori ka vepru si duhet i ka nxjerr jashtë ju ka bërtit që s’ështe e lejume me pi duhanin. I kan than na e lejojna edhe në shtëpi me përdor duhanin, i kan than qeshtu”, thotë Latifi.

Latifi tha se sulmuesit i kanë kërcënuar me armë mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës.

“Rasti ka ndodh dje, është sulmu drejtori në vendin e punës në shkollë, nga tre persona. Nuk janë nxënës të shkollës, kanë sulmu pa paraljamërim në mënyrë të organizuar. Tani jon përfshi edhe mësimdhënësit, kanë kërcënu me armë, kolektivin, nxnënësit, mësimdhënësit”, thaLatifi për Gazetën Express.

Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së shkollës. Me këto pamje po merret policia.

Rasti i rrahjes së drejtorit të shkollës Teknike në Skenderaj është përmendur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës. Policia nuk njofton të jenë kapur sulmuesit, mirëpo rasti po hetohet si “sulm ndaj personit zyrtar”.

“Skenderaj 24.05.2019-14:00. Viktima mashkull K-Shqiptar ka njoftuar se tre të dyshuar meshkuj K-Shqiptar e kanë sulmuar fizikisht duke i shkaktuar frakturë në gisht dhe e kanë kanosur me armë. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relavante policore”, tha policia.

Sipas Agron Istogut sulmuesit janë personat me inicialet, A.J, L.V dhe H.RR. Këto detaje ai i ka raportuar në polici.