Rafuna: Rritja e çmimit të rrymës rrezikon produktin vendor, po mbyllen kompanitë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar se rritja e çmimit të energjisë elektrike po rrezikon seriozisht produktin vendor dhe qëndrueshmërinë e bizneseve në vend.

“Nxjerrja e bizneseve në tregun e lirë ka çuar në rritjen e faturave të energjisë prej 200 deri në 400 për qind më shtrenjtë. Kostoja e energjisë është një pjesë operative dhe reflektohet drejtpërdrejt në çmimin e produktit,” tha Rafuna në Klan Kosova.

Ai shtoi se për shkak të kësaj rritjeje, produktet vendore janë bërë më të shtrenjta se ato të importuara, duke ulur kërkesën brenda vendit.

“Ne e kemi rrezikuar produktin tonë. Në vend se ta stimulojmë dhe subvencionojmë, e kemi ngarkuar me koston e lartë të energjisë,” u shpreh ai.

Rafuna gjithashtu paralajmëroi se disa kompani kanë mbyllur aktivitetin e tyre, ndërsa të tjera po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes jashtë vendit, kryesisht drejt Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, për shkak të çmimeve të larta të energjisë elektrike.

“Kemi kompani që po mendojnë të zhvendosen, sidomos në pjesën e Kukësit, pasi aktualisht çmimi i energjisë në Kosovë është thuajse më i larti në rajon,” tha ai.