Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka të drejtë të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve para se të përfundojë afati 48-orësh për paraqitjen e ankesave mbi administrimin e procedurave të numërimit në QNR, ka deklaruar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD).
“Legjislacioni zgjedhor e njeh shprehimisht të drejtën e subjekteve politike dhe kandidatëve për të ankimuar çdo shkelje të supozuar gjatë numërimit në QNR, brenda afatit prej 48 orësh nga momenti i ndodhjes së saj,” ka thënë Cakolli.
Ai ka theksuar se “ankimi i procedurave në QNR është çështje e ligjshmërisë procedurale, e dallueshme nga ankimimi mbi ligjshmërinë e rezultateve përfundimtare.”
Sipas tij, “asnjë fazë e procesit zgjedhor – përfshirë edhe numërimin në QNR – nuk është e përjashtuar nga kontrolli ligjor, dhe çdo veprim që e bën të pazbatueshme të drejtën për ankesë përbën mohim të mjetit juridik të garantuar me ligj.”










