Arrestohet 69-vjeçari nga Maqedonia e Veriut, dyshohet për disa vjedhje në Lipjan

Një 69-vjeçar, shtetas i Maqedonisë së Veriut, është arrestuar nën dyshimin se ka kryer disa vjedhje në rajonin e Lipjanit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rastet e vjedhjes janë raportuar gjatë vitit 2025, ku i dyshuari dyshohet se ka vjedhur portofole me shuma të ndryshme parash nga kamionë të parkuar.

Sipas njoftimit të policisë, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa ndaj tij po zhvillohen procedurat e nevojshme hetimore për së paku tri vjedhje të raportuara në rajonin e Lipjanit.

Po ashtu, policia ka bërë të ditur se bazuar në informacionet e deritanishme nga hetuesit policorë, i njëjti person dyshohet se ka kryer vepra penale të natyrës së njëjtë edhe në rajone të tjera të Kosovës, për të cilat po ndërmerren veprime të mëtutjeshme policore.