Ka ndërruar jetë gazetarja kosovare Qefsere Nishevci, një emër i njohur i gazetarisë në Kosovë, e cila me përkushtim dhe profesionalizëm kontribuoi në zhvillimin e këtij profesioni për dekada me radhë.
Nishevci i përkiste brezit të gazetarëve që lanë gjurmë të rëndësishme në informimin dhe edukimin e opinionit publik.
Ajo ishte e diplomuar në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, ndërsa karrierën gazetareske e kishte nisur në vitin 1982 si gazetare në të përditshmen “Zëri i Rinisë”.
Gjatë angazhimit të saj profesional, ajo u shqua për seriozitet, etikë dhe përkushtim ndaj profesionit, duke ndikuar edhe në formimin e brezave të rinj të gazetarëve.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e saj, duke vlerësuar kontributin e Nishevcit në gazetarinë kosovare.










