Në pritje të konfirmimit zyrtar, Marc-André ter Stegen do ta mbyllë sezonin 2025-2026 te Girona, në formë huazimi nga Barcelona. Sipas “The Athletic”, Barça vendosi si kusht që portieri gjerman 33-vjeçar të mos aktivizohet në ndeshjen e La Liga-s që mbetet për t’u luajtur në “Montilivi” më 15 shkurt, e njohur si “klauzola e frikës”, për të shmangur dëmtimin e interesit sportiv të klubit pronar.
Girona, nën drejtimin e “City Group”, mund ta thyejë klauzolën duke paguar një kompensim të konsiderueshëm, gjë që nuk pritet të ndodhë. Një faktor kyç i marrëveshjes është se Barça do të mbulojë pothuajse të gjithë pagën e Ter Stegen, me një përqindje minimale nga Girona.
Portieri e di se për të luajtur me kombëtaren gjermane në Botërorin e verës duhet të jetë titullar rregullisht, diçka që te Barça nuk ndodhi pas afrimit të Joan Garcia, “numri 1” sipas Hansi Flick. Afërsia me Barcelonën i lejon Ter Stegen të ruajë rutinën dhe të jetë pranë fëmijëve.
Për këtë arsye, ai nuk udhëtoi në Pragë për ndeshjen e Champions-it ndaj Slavia. Kapiteni u përshëndet me ekipin të hënën, teksa kontrata e tij me Barçën vlen deri në 2028.
The post Ter Stegen huazohet te Girona prej… Botërorit, por me “klauzolën e frikës” appeared first on Telesport.










