Marc ter Stegen nuk do të udhëtojë për në Pragë këtë mesjavë me Barcelonën për ndeshjen e radhës në Champions League kundër Slavia. Portierit 33-vjeçar gjerman i është dhënë leje nga klubi “blaugrana” për të përfunduar hapat e fundit të transferimit të tij të afërt si huazim te Girona deri në fund të sezonit.
Sipas “Mundo Deportivo”, marrëveshja midis dy klubeve u arrit dje dhe në orët e fundit po formalizohet shkëmbimi i dokumenteve para se transferimi i përkohshëm të bëhet zyrtar. Sot, Ter Stegen do t’i nënshtrohet vizitave të zakonshme mjekësore përpara se të nënshkruajë kontratën e re.
Barça do të mbulojë 90% të pagës së mbetur të Ter Stegen deri më 30 qershor, dhe Girona do të paguajë një shumë rreth 1 milion euro. Te Girona, portieri gjerman më në fund do të jetë në gjendje të marrë qëndrueshmërinë që i nevojitet, për të mbrojtur edhe vendin në kombëtare.
Që nga mbërritja e tij në verën e vitit 2014 nga Borussia Mönchengladbach, Ter Stegen ka luajtur 423 ndeshje për klubin “blaugrana”. Por ai nuk do të luajë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, pasi Hansi Flick e ka lënë jashtë skuadrës. Kjo është një provë tjetër e largimit të tij të afërt.
The post Ter Stegen nuk udhëton me Barcelonën, portieri sot kryen vizitat mjekësore te skuadra tjetër spanjolle appeared first on Telesport.










