KOMF reagon kundër “veprimtarisë” së Sllamnikut: Shton stigmatizimin e fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka reaguar lidhur me aktivitetet e dyshuara të konspiracionistit Arianit Sllamniku.

Në një reagim për media, KOMF u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin urgjentisht veprimet dhe masat ligjore për të ndaluar dhe ndëshkuar veprimet e tilla, të cilat janë jo vetëm të paligjshme, por edhe rrezikojnë shëndetin e fëmijëve.

“KOMF reagon edhe ndaj përhapjes së pretendimeve të pabazuara shkencërisht që autizmin e paraqesin si diçka që mund të ‘shërohet’. Qasje të tilla janë jo vetëm mashtruese, por edhe të rrezikshme, sepse devijojnë vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve: mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara, mjedise stimuluese dhe shërbime të bazuara në evidence”, thuhet në reagim.

Organizata gjithashtu thekson se këto pretendime shtojnë stigmatizimin e fëmijëve dhe krijojnë pritshmëri joreale tek familjet e tyre. “Promovimi i premtimeve mashtruese shkakton dëm direkt: shton presion mbi familjet dhe nxit keqkuptim për nevojat reale të fëmijëve me autizëm.

KOMF thekson urgjencën e informimit të përgjegjshëm, përmirësimin e politikave publike dhe investimin në kapacitete dhe shërbime që fuqizojnë fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre”, thuhet më tej.

Sipas KOMF, vetëm përmes qasjeve të bazuara në shkencë, etikë dhe solidaritet shoqëror mund të krijohet një mjedis që respekton zhvillimin, dinjitetin dhe të drejtat e fëmijëve me autizëm. “Çdo përpjekje për manipulim, mashtrim apo eksperimentim mbi fëmijët me autizëm është e papranueshme dhe duhet të ndëshkohet nga organet e drejtësisë”, përfundon reagimi.