AZ: 6 lojtarët e pazëvendësueshëm te Bayern, Neuer dhe Upamecano jashtë listës

AZ ka bërë një renditje për 6 lojtarët e pazëvendësueshëm të Bayern. Media gjermane ka “harruar” Manuel Neuer dhe Dayot Upamecano, duke mos i përfshirë në listë.

Harry Kane kryeson renditjen. Sulmuesi anglez është i pazëvendësueshëm. Jo vetëm se Nicolas Jackson nuk krahasohet me të, por efikasiteti dhe ndikimi i Kane në skuadër (në çdo skuadër) është i jashtëzakonshëm.

AZ rendit më tej Konrad Laimer. Nuk shkëlqen, por është i qëndrueshëm dhe polivalent. Bayern do të rinovojë me të me çdo kusht. I treti në listë është Joshua Kimmich. Bayern fiton në kampionat edhe pa të, por jo në Europë. Pa Kimmich, mesfusha nuk funksionon mirë, pa përmendur cilësitë e tij si lider.

Pas tij vjen Luis Diaz, njeriu i kaosit në sulm. Manuel Neuer para pak ditësh deklaroi se kolumbiani është një nga lojtarët më të mirë me të cilët ka luajtur gjatë karrierës. Kaq mjafton.

Në vend të pestë renditet Michael Olise, blerje e shkëlqyer e bavarezëve dhe yll gjithnjë në ngritje. Francezi sot kushton të paktën 130 mln euro. Askush nuk e ka impaktin e tij në krahun e djathtë të ofensivës.

I gjashti, por jo më pak i rëndësishëm, është Aleksandar Pavlovic. Gjermani impresionon me vizionin, saktësinë e pasimeve dhe forcën e tij në ndërhyrje, si me top ashtu edhe pa top.

The post AZ: 6 lojtarët e pazëvendësueshëm te Bayern, Neuer dhe Upamecano jashtë listës appeared first on Telesport.