Cafu: Kur je Milani, objektivi është gjithmonë të fitosh titullin. Modric, super blerje

“Kur je Milani, objektivi është gjithmonë të fitosh kampionatin, të paktën kështu më kanë mësuar mua”. Këto janë fjalët e Marcos Evangelista de Moraes, i njohur si Cafu, në një intervistë për “Tuttosport” mbi sezonin e kuqezinjve. Ai vlerëson edhe Luka Modrić: “Në moshën 40-vjeçare, ai bën ende diferencën. Milani ka bërë një goditje të madhe që e mori në verë”.

“Firma” në pankinë është ajo e Massimiliano Allegrit: “Për zgjedhjen e tij nuk kisha dyshime që në verë”. Cafu e sheh garën për titull në Serie A shumë të hapur: “Ka shumë konkurrencë për ‘scudetto’. Përveç Napolit dhe Interit, kujdes edhe Romën e Juventusin”.

Duke folur për Romën, ai përmend Wesley, që për disa është “Cafu i ri”: “Është një lojtar i madh, jam i lumtur që po ecën shumë mirë”. Për Bremer te Juventusi: “Është një futbollist i jashtëzakonshëm. Nëse ndihet mirë fizikisht, është mbrojtësi më i mirë i Serie A”.

Për kombëtaren braziliane shtoi: “Vendimet i merr Ancelotti, shpresojmë të fitojë Botërorin 2026”.

 

The post Cafu: Kur je Milani, objektivi është gjithmonë të fitosh titullin. Modric, super blerje appeared first on Telesport.